Lajme
15.3.2022 05:15
Zëvendëskryetari i Qeverisë për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq dhe Kryeministri Dimitar Kovaçevski kishin takim të përbashkët me nënkryetarin e Komisionit Evropian dhe përfaqësues i lartë për Punë të Jashtme, Zhosep Borel.
-Besoj se politika e zgjerimit këtë vit drejt Ballkanit Perëndimor do të rivitalizohet, sepse kjo është në interes të të gjithëve. Posaçërisht e rëndësishme është të kuptohet mesazhi i dërguar nga agresioni ushtarak i Rusisë kundër Ukrainës, se procesi i zgjerimit duhet të jetë i kuptuar si politikë e përbashkët që mund të ndihmojë ndjeshëm në përmirësimin e atmosferës politike, të sigurisë dhe ekonomike në vendet e Ballkanit Perëndimor, por edhe Unionit, shkroi në fejsbuk profilin e tij Mariçiq, pas përfundimit të takimit.
Zëvendëskryeministri Mariçiq përcolli mesazhin e përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe të sigurisë dhe nënkryetar i Komisionit Evropian, Zhosep Borel, se Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar ndaj zgjerimit me Ballkanin Perëndimor dhe jep sinjal të fuqishëm për nevojën që Republika e Maqedonisë së Veriut ti fillojë negociatat pa vonesa të mëtejshme.
Mariçiq së bashku me Kryeministrin Dimitar Kovaçevski theksuan vizionin tonë evropian, unitetin, kohezionin dhe solidaritetin tonë me vendet evropiane dhe aleatët tonë në BE dhe NATO, si dhe nevojën për bashkimin e Ballkanit, që është e rëndësisë së veçantë edhe për Bashkimin Evropian dhe vendet anëtare. Në takim u konfirmua edhe fokusi i Qeverisë për zbatimin e agjendës reformuese evropiane dhe gjetjen e zgjidhjes me Bullgarinë, që do të thotë datë për fillimin e negociatave me BE-në.