Lajme
14.2.2018 17:37
Zëvendëskryetari i Qeverisë përgjegjës për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, realizoi takim me u.d. Drejtoreshën e Zyrës së Evropës Jug-qendrore të Departamentit Shtetëror të SHBA-ve, Suzan Falatko.
Zëvendëskryeministri Osmani shprehi mirënjohje të thellë dhe të sinqertë ndaj bashkëbisedueses së SHBA-së, duke theksuar rëndësinë e ndikimit që SHBA ka ndaj zhvillimit dhe progresit të Republikës së Maqedonisë. “Pothuaj se nuk ekziston ndonjë lëvizje më e rëndësishme politike apo sukses shtetëror në Republikën e Maqedonisë, i cili nuk është arrirë përmes ndihmës së sinqertë dhe të pa kursyeshme të SHBA-ve” theksoi Osmani, duke dhënë si shembull pavarësinë e shtetit, Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, marrëveshjen e përkohshme me Greqinë, organizimin territorial etj.
Osmani theksoi momentumin evropian në të cilin gjendet vendi, posaçërisht pas shpalljes së Strategjisë nga ana e Komisionit Evropian për zgjerim me përfshirje të vendeve të Ballkanit Perëndimor deri në vitin 2025, në përmbajtjen e së cilës u valorizua progresi i Maqedonisë, i shënuar gjatë periudhës së fundit, ku dhe iu ofrua vendit mundësia për kyçje ndaj prirësve të procesit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. “Fituam mundësi posaçërisht të rëndësishme, sipas reformave të implemetuara me sukses, por edhe me adresimin e çështjeve të hapura politike, për të filluar negociata për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian, si dhe me këtë, përfshihemi në dinamikën për aderim deri në vitin 2025” potencoi Osmani. Osmani vlerësoi periudhën në vazhdim si moment kyç historik për integrimet evropiane dhe euro- atlantike të Republikës së Maqedonisë dhe nënvizoi se pret mbështetje të sinqertë nga të gjithë miqtë ndërkombëtar, posaçërisht nga partneri strategjik – SHBA-të.
Në fund të takimit, Osmani siguroi z-nj. Falatko për orientimin e Maqedonisë, si dhe të rajonit në përgjithësi të Ballkanit Perëndimor, që mbeten drejt integrimeve evropiane dhe euro- atlantike, si angazhim thelbësor strategjik për jetë më të mirë të qytetarëve.