Lajme
26.1.2018 15:51
Sot, në hapësirat e Sekretariatit për Çështje Evropiane në bashkëpunim me Institutin për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup dhe Asociacioni qytetar “Acta Non Verba”- Shkup u shënua Dita ndërkombëtare për përkujtimin e tragjedisë të Holokaustit që ndodhi gjatë Luftës së dytë Botërore, e cila i përkon 73- vjetorit të çlirimit të kampit fashist Aushvic. Në ngjarje pjesëmarrës ishin përfaqësues të trupit diplomatik, përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar si dhe përfaqësues të komunitetit hebrenj në vend.
Në kuadër të ngjarjes u promovua libri i autores hebreje Mimi Kamhi Ergas- Faraxhi “ JETA IME NËN PUSHTIMIN NAZIST” në të cilin përshkruhet golgota e saj prej refugjateje gjatë pushtimit nazist – nga Shkupi për në Kosovë e deri në Shkodër, Shqipëri. Libri është përkthyer në tri gjuhë: shqip, maqedonisht, anglisht. Me këtë rast mori pjesë edhe e bija e autores Ita (Drita) Bartuv, e lindur në kohën e golgotës së familjes së saj.
Në këtë ngjarje fjalën e tij e kishte Zëvendëskryeministri Bujar Osmani, mysafirja e veçantë Ita Bartuv Ambasadori i Izraelit në Republikën e Maqedonisë, Dan Orian, Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Republikën e Maqedonisë, Tomas Gerberih dhe Skender Asani, Drejtor i Institutit për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve.
“Në libër mund ti njohim vlerat humane të njerëzve të këtij rajoni: shqiptar, maqedonas, serb, turq, të cilët, duke sakrifikuar, ndihmuan për të shpëtuar shumë jetë nga terrori i Holokaustit, në kujtesën e së cilës ka mbetur sot për të ndërtuar apo për të mbajtur gjallë shpirtin kolektiv të shoqërisë së sotme mbi themelet e këtyre vlerave. Është e rëndësisë së veçantë të kuptojmë që vlerat evropiane të ndërtuara në bazë të antifashizmit janë edhe vlerat tona, ato janë vlera civilizuese që edhe këtu janë autoktonë dhe të cilët na nevojiten për më lehtë ti tejkalojmë sfidat që sot ne po përballemi si popuj të këtij rajoni”. – theksoi Osmani në fjalën e tij. Ai shtoi se Maqedonia si aspirant për anëtarësim në Bashkimin Evropian, në përgjithësi është e përkushtuar në vlera evropiane të barazisë, humanizmit dhe solidaritetit, dhe vazhdimisht punon në avancimin e të njëjtave.