Lajme
13.11.2017 09:20
Zëvendëskryetari i
Qeverisë së Republikë së Maqedonisë përgjegjës për Çështje Evropiane, Bujar
Osmani, së bashku me Ministrin për Punë të Jashtme, Nikolla Dimitrov, filluan
vizitën dyditore në Bruksel me mëngjesin e punës me ministrat e punëve të
jashtme të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, ku referuan për progresin e
Republikës së Maqedonisë në procesin eurointegrues.
Zëvendëskryeministri
Osmani fillimisht prezantoi rezultatet dhe arritjet në implementimin e pjesës 3
të Planit 3-6-9, i cili u kurorëzua me mbajtjen e zgjedhjeve fer, të lira dhe
kredibile. "Fokusi i masave dhe aktiviteteve të pjesës së parë të Planit -
pjesës tre, ishte krijimi i kushteve dhe mbajtja e zgjedhjeve të përkryera, gjë
në çka kishim sukses dhe që u konfirmua nga ana e të gjitha organizatave të
vendit dhe ndërkombëtare që i ndiqnin zgjedhjet", theksoi Osmani.
Më tej, Osmani referoi
edhe për përgatitjet edhe rreth pjesëve të tjera të Planit 3-6-9, ku potencoi
fushat në të cilat janë të fokusuara pjesa më e madhe e reformave e të cilat
janë: reformat në gjyqësor, ku, Osmani informoi se përmes një procedure
transparente, me përfshirje të një numri të madh të ekspertëve nga vendi dhe
ndërkombëtar, kah fundi është përgatitja e Strategjisë dhe Planit aksional për
reforma; pastaj, reformat në shërbimet e inteligjencës, ku sipas rekomandimeve,
por edhe sipas procesit të gjerë të konsultimeve, është zgjedhur modeli dhe
reformat janë në fazë finale të miratimit për implementimin e tyre; pastaj
reforma e administratës publike, në drejtim të depolitizimit dhe
profesionalizimit, për çka Osmani informoi se, veç më është përgatitur draft
versioni i Strategjisë dhe i Planit aksional; si dhe fushat e tjera siç janë
lufta kundër korrupsionit, kushtet për punë të mediave, reformat në polici, në
të cilat fusha Osmani informoi se ka progres në përgatitjen e Strategjive dhe
Planeve aksionale të cilat së shpejti do të shpallen në publik dhe do të
implementohen. "Pas zgjedhjeve, Qeveria sërish në mënyrë agresive u
është përkushtuar reformave dhe plotësimit të Planit 3-6-9, i cili, në vete
përfshin të gjitha rekomandimet dhe sugjerimet e raporteve relevante dhe nga
partnerët tanë ndërkombëtar, sepse qëllimi ynë është që pas implementimit të
tij të mos vijojë pjesë e re 12 , por fillimi i negociatave" - theksoi
Osmani në takim.
Osmani dhe Dimitrov
referuan për progresin në mbylljen e çështjeve politike. Ata informuan për
rrjedhën e procesit rreth ligjit për përdorim të gjuhëve, i cili pritet që së
shpejti të votohet në Parlament, si dhe për progresin në marrëdhëniet me
Greqinë të cilat po lëvizin në kahje pozitive.
Në kuadër të vizitës, në
agjendën e Osmanit dhe Dimitrovit janë edhe takimet me Eurokomesarin për
Zgjerim dhe Politikë Fqinjësore Johanes Han, pastaj me Nënkryetaren dhe
Përfaqësuesen e lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Frederika
Mogerini. Osmani do të ketë edhe fjalën e tij në Institutin Think-Tank, në
Qendrën Evropiane për Politikë (EPC), "Plani 3-6-9: avancimi i mëtutjeshëm
i procesit të integrimit të Maqedonisë në BE", ndërsa në margjinat e
vizitës do të realizojë takim edhe me Drejtoreshën për Ballkanin Perëndimor në
DG NEAR, Genoveva Ruiz Kallavera.